Rizbulimi i poetit të mallkuar

Diskutoni per letersi, tregoni poezi, diskutoni ato...

Moderator: AciDiuS

Post Reply
User avatar
V | a G r a
Posts: 12726
Joined: Tue Oct 19, 2004 5:31 am
Location: Pr!sht!n
Contact:

Rizbulimi i poetit të mallkuar

Post by V | a G r a »

Rizbulimi i poetit të mallkuar

Image

Me të poezia merr ngjyrat e muzikës dhe të pikturës, lëvizjet e vallëzimit dhe të ëndrrës, edhe pse me kohën mësoi se i vetëm poezia nuk mund ta ndryshonte jetën. Arthur Rimbaud ëndërronte të “pushtonte” Francën.

Ai çdo gjë të vetën e linte pas, krejtësisht i shkujdesur, ashtu siç dinte të merrte jetën, ashtu vepronte edhe me krijimet e tij, me objektet që kishte të nevojshme, por edhe me kujtimet. Kështu ndodhi deri në fund. Ndaj ende edhe sot gjenden të endura kujtimet që la pas. E tillë është edhe një foto, e cila prej dy vitesh është zbuluar krejt rastësisht në një treg të objekteve të vjetra, në të cilën ai shfaqet mes një grupi prej shtatë vetash në Abisini.


Dy librarë francezë e njohën menjëherë fytyrën e Arthur Rimbaud. Bëhet fjalë për të parin imazh të qartë të “poetit të mallkuar” në moshë të madhe, rreth të 30-ave ndoshta në vitin 1880, kur prej kohësh kishte hequr dorë prej të shkruarit dhe kishte nisur aventurën në tokat e largëta mes Afrikës dhe Azisë. Fotografia është bërë për herë të parë publike dje me rastin e Sallonit të Librit Antik që u çel në Paris.

Rimbaud u konsiderua “poeti i mallkuar”. Ai lindi në Charleville të Francës më 20 tetor të vitit 1854 në një familje tipike borgjeze. Ai asnjëherë nuk e pati dashurinë e të atit që u largua shumë shpejt prej familjes, as të nënës, e cila ishte tepër e rreptë me fëmijët e saj. Braktisja e familjes nga ana e të atit kur i vogli Arthur ishte vetëm gjashtë vjeç, la shenjë të pashmangshme gjatë gjithë jetës së tij.

Kjo zgjedhje e babait dënoi familjen jo vetëm me varfëri, por i la përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve nënës, e cila nuk ishte shembulli i duhur i lirisë. I edukuar në familje dhe në shkollë brenda skemave tradicionale, u vu re tek ai një zhvillim i parakohshëm intelektual. Nisi të thurte vargje qysh në moshën 10-vjeçare i inkurajuar edhe nga mësuesi tij. Kur ishte 16 vjeç, duke ndjekur anën e tij vizionare, la pas jetën e qetë që ishte përgatitur për të, duke u arratisur përfundimisht prej shtëpisë. Nis kështu një endje e vetmuar e poetit të ri që e çon shumë larg ambientit familjar.

Arratisja e tij e parë drejt Parisit përkon edhe me hartimin e poemës së tij të parë... E gjatë kësaj periudhe të jetuar si vagabond, ai kaloi mes eksperiencash nga më të ndryshmet, pa përjashtuar alkoolin, drogën dhe burgun. E entuziazmonte jeta që bënte. Pa asnjë para në xhep udhëtoi në këmbë nëpër Francën që ishte në luftë, duke bërë jetën e rrugës. Pikërisht në këtë kohë ai nis të njohë dhe të lexojë ata që quheshin poetët “imoralë”, si Baudelaire e Verlaine.

Me këtë të fundit, Rembaund pati edhe një histori të gjatë dhe pasionante dashurie. Por ishte edhe një histori e vështirë, aq sa në verën e vitit 1873, gjatë qëndrimit të tyre në Belgjikë, Verlaine, i dehur, e plagos poetin e ri dhe për këtë arrestohet. E pavarësisht lidhjes së ngushtë mes të dyve, influencë të jashtëzakonshme pati tek Arthur, Baudelaire.

I influencuar ndër të tjera edhe prej librave të alkimisë, ai nis ta konceptojë veten si një profet, një shenjt të poezisë dhe në dy letra të njohura si "Letra të mendjehollit”, përpunoi konceptin sipas të cilit artisti duhet të ndjekë “konfuzionin e ndjesive”. Pas aventurave në çift, Rimbaud u kthye edhe një herë në shtëpinë e tij, ku shkroi njërën prej kryeveprave "Një stinë në ferr".

Në vitin 1875, në moshën 21-vjeçare Arthur rreshti së shkruari, por mbeti gjithnjë një udhëtar dhe dashamirës i gjuhëve e për këtë u nis drejt lindjes, në Qipro e më pas në Afrikën e Jugut, ku kaloi edhe vitet e fundit të jetës si tregtar e kontrabandist armësh. Në vitin 1891, një tumor në këmbë e detyron të kthehet në Francë për të marrë kurat e duhura mjekësore. Ndërroi jetë në të njëjtin vit në një spital në Marsejë.

E motra ndenji me të deri në fund dhe deklaroi se në momentet e fundit ai përqafoi sërish fenë katolike. "Rimbaud? Erdhi si një meteor... Teorizoi me ndërgjegje të pastër tezën e “poetit mendjehollë”, i aftë të parandalojë me anë të një “çrregullimi” të gjitha ndjesitë, me një vizion të së panjohurës që në të njëjtën kohë është edhe vizioni i absolutes.

Arti i Rimbaud përkon me jetën e tij pikërisht në “refuzimin e Europës”, “pështjellimin ndaj Europës”: refuzimi përfshinte edhe veten, madje niste prej tij. Në të njëjtën kohë, jeta e Rimbaud ishte një kërkim i harbuar i eliminimit të vetes, e përndiqte veten me çdo mjet, përfshi këtu edhe mospublikimin e veprave, të cilat i linte dorëshkrim ngado. Verlaine i mblodhi dhe u kujdes për botimin e tyre. Rimbaud është interpretuesi më i madh poetik i krizës nihiliste; dhe si shumë autorë të kohës së krizës karakterizohej nga një dykuptimësi e fuqishme.

Përmes poezisë Rimbaud kishte tentuar të krijonte nga asgjëja një gjuhë të re dhe një mënyrë të re për të ngritur krye ndaj së vjetrës, hipokrizisë dhe asaj që nuk ishte njerëzore. Shumë shpejt kuptoi rrezikshmërinë e kotë nëpër të cilën po kalonte, për shkak të përpjekjeve të tij ndaj edhe preferoi të largohej përgjithnjë. Arratisja ishte për të e vetmja mënyrë për të qëndruar ende padron i vetes së vet dhe për të rregulluar jetën sipas dëshirave dhe ëndrrave.

Poeti i madh Arthur Rimbaud një ide revolucionare e la të qartë pas vdekjes: të ndryshonte jetën!

/gazetashqip/
Post Reply