Filozofia e berllokut!!!

Gjithqka rreth politikes..

Moderators: Beka Floyd, SadButTrue, bg82

Post Reply
Buddy-Holly
Posts: 170
Joined: Sun Aug 30, 2009 6:29 pm

Filozofia e berllokut!!!

Post by Buddy-Holly »

Marrun nga: http://www.gazetaexpress.com/index.php/ ... 409/C67/C/
Në Kosovë ka shumë bërllok. Me shumicë ka bërllok ideologjik nëpër partitë politike, bërllok kulturor nëpër institucione dhe nëpër trotuare ku shiten libra, CD e DVD, bërllok ekonomik nëpër ndërmarrjet e privatizuara dhe të shkretuara. Mbase, bërllok ka edhe nëpër listat e kandidatëve për zgjedhje. Ka bërllok edhe në bibliotekën time, ku kanë mbetur libra të autorëve të cilët kanë bërë mëkat duke nxirë fletën e bardhë. Ngado që sillesh në Kosovë, frymën ta zë bërlloku. Ndotja e ambientit krijon edhe ndotje mentale.
Në këtë kuptim bërlloku shndërrohet në problem filozofik, duke qenë pjesë përbërëse e botës që na rrethon.

Këtë e ka vërejtur më së mirë filozofi Astrit Salihu, i cili edhe ka mbështetur fushatën e tij në shpalimin e të palarave në kryeqendër, aty ku njerëzit improvizojnë modelin e qytetarisë dhe urbanitetit.

Pak digresion. Në një debat rreth një shfaqjeje, një regjisor i ri foli për shfaqjen si për një send shumë të mirë. Në pyetjen time se çka është ai ‘send’, regjisori i ri u përgjigj duke thënë se është njeri urban dhe se flet një gjuhë urbane, të cilën unë nuk po mund ta kuptoja. Kur më tregoi vendin nga ishte dhe ku jetonte, ula kokën dhembshëm, sepse qyteza e tij ende është pa kanalizim! Po çka ka lidhje Astrit Salihu, filozof nga kryeqendra, me regjisorin e ri urban nga qyteza pa kanalizim? Ka. Astriti po e bën regjinë e filmit dokumentar mbi praninë e bërllokut në kryeqendër, ndërsa regjisori i ri “i urbanizuar në kryeqendër”, bën bërllok me ëndrrat që nuk e shpijnë në Hollywood.

Më shumë se dyqind vjet më parë, gjermanët i kishin të caktuara vendet ku duhej t’i hidhnin mbeturinat, përkatësisht bërllokun. Kjo gjë respektohej edhe nëpër fshatra. Kjo distancë dyqindvjeçare mes nesh dhe gjermanëve na dërgon tek libri i suedezit Ulmar Kvik, “Më shumë heroizma se grurë”, në të cilin ai, si mik i shqiptarëve, argumenton mbetjen tonë prapa karshi suedezëve për dyqind vjet. Dhe, ndërsa shtetet më të zhvilluara të Europës përballen me problemin e mbeturinave nukleare, ne ende jemi në nivelin e problemit të gjetjes së një vendi për hedhjen e pelenave. Kjo është Bërllok Kosova, të cilën pa forcë provojmë ta mbështjellim me ambalazh krenarie dhe me mirëqenie të rrejshme.

Kjo që po bën kandidati i PDK’së për kryetar të komunës së Prishtinës, filozofi Astrit Salihu, gjithnjë e më shumë po dëshmon se Kosova përnjëmend është bërllok. Lufta me bërllokun ka nisur nëpër qoshe, andej ku më lehtë mund të fshihen të palarat, por dalëngadalë ajo po vendoset në qendër dhe si e tillë do të vazhdojë të ecën deri edhe në institucionet tona më të larta. Salihu po e dëshmon fuqishëm një gjë - Kosova, përkatësisht kryeqendra e tij si mostër e zhvillimit dhe urbanizimit, ka tepër bërllok. Astrit Salihu, si filozof që është, ka mundur ta identifikojë mungesën e dijes dhe sistemit të vlerave në shoqërinë tonë, por fushatën e ka nisur nga bërlloku, sepse nga mbetjet tona edhe fillon gjithçka. Ai e di se aty ku nuk kultivohet mendimi filozofik, nuk mund të bëhet fjalë për vlera, por për bërllok, prandaj me të drejtë po na i zbulon skutat ku ne fshehim të palarat tona. Ai duke akuzuar kryetarin aktual të kryeqendrës, përkatësisht rivalin e tij, po akuzon gjithë shoqërinë, po akuzon institucionet që udhëheqin me këtë shoqëri.

Dhe mirë po bën. Tradicionalisht, populli ynë ka besuar se nevojtorja është pamja më e mirë e shtëpisë. Astrit Salihu po na e tregon këtë pamje të kryeqendrës për të thënë se pjesët tjera të Kosovës janë edhe më keq. Dhe përnjëmend janë. Salihu në këtë mënyrë po krijon një pasqyrë, në të cilën të gjithë po e shohim veten. Tjetër gjë është fakti pse ne nuk po e shohim veten të skuqur në këtë pasqyrë. Duket ashiqare se na ka plasur marrja. Askush nuk i ka pyetur pastruesit e ndërmarrjeve publike sa bërllok i madh është bërë me posterët që vendosen e shqyhen çdo natë. Nuk di kush ka mundur ta përjetojë ndjenjën që përjetova një ditë tek ecja trotuareve dhe shkelja mbi posterët e kandidatëve për kryetarë komune. Posterët, ashtu të shqyer copë-copë, ishin ngjitur për betoni nga shiu i imët që binte dhe era nuk mund t’i merrte dhe të luante me ta. Nuk kishe si të mos shkelje edhe mbi kokat e kandidatëve. Ishte vërtet një ndjenjë e keqe, shumë e keqe për një qytetar që nuk ka ambicie të shkelë mbi të tjerët dhe të ngjitet në piramidën politike. Ndjenjë e keqe ishte të shkelje mbi bërllok.

Pavarësisht qëllimeve të Astrit Salihut, ai po na detyron t’i kthehemi Konicës pas shtatëdhjetë vjetëve dhe të mos e gënjejmë veten. Po na rikthen në bindjen se më mirë do të ishte ta shpallnim Kosovën si vend të bërllokut, sesa që e kemi shpallur vend të sportit. Imagjinojeni një palestër sporti, apo një stadium futbolli pas ndeshjes! Do të shihni një pamje të tmerrshme bërlloku! Ideja e Salihut që skutat e bërllokut t’i shndërrojë në atelie, më kthen tek regjisori urban.

Që ta shihni dhe ta njihni më mirë Kosovën tonë, shtetin më të ri në botë, u kisha këshilluar të gjithëve ta shikoni filmin e metrazhit të shkurtër “Hekurishtja”, i cili bën pasqyrën tonë më të mirë të mundshme dhe krijimin më të mirë artistik të Kosovës së pasluftës. Ky film jep edhe mesazhin më të mirë: na tregon se si u shkarkuam nga mbeturinat e mëdha të hekurit - nga varrezat masive të veturave. Na mëson se riciklimi i mbeturinave është prioriteti ynë, të cilin na e premtojnë kandidatët nëpër fushata, por nuk na e thonë si do ta bëjnë, ndërsa ende mbështeten në donatorët, duke harruar se ata qëmoti kanë ikur nga Kosova, nga ky bërllok. Kësaj filozofie po i mungon sall një gjë, të cilën po e presim që të na e thotë filozofi Salihu - si do të shpëtojmë nga bërlloku, nga ky problem esencial i shoqërisë sonë?
me bani shume pershtypje qeky perkufizim i realitetit, kur ne te njejten kohe 1 kandidat e bazon fushaten zgjedhore pikrisht komplet krejt ne berllog, kurse ai tjetri premton diqka te pa paramendushme ose ma mire me thon te pa logjikshme premton Prishtinen me ba metropol, tu e dit qe prishtina nuk ka stacion treni qe e lidh me shume kryqeytete europiane nuk ka airoport te madhe qe me kan ure lidhese ndermejet shume shtete nuk ka asni autostrat qe i detyron shume shtete me kapercy naper Prishtine per port detar mo dihet qe se ka si ka mundesi Prishtina mu shendrru ne metropol (prishtina se ka as edhe ni skyscraper)

kurse tjetri premton nonstop me zhduk berllogun po qe nese zhduket berllogu cka mbetet tjeter pse nuk flitet kurr qysh me shfrytzu edhe berllogun

pse na kurr sun e gjetem 1 kryetar komune qe 1 dite e dan me nejt me qytetar mi ndegju problemet drejt perdrejt me qytetar mu ni vertet qytetar pse nuk shkon me patrollu kryetari i komunes bash me polic ni nate ton naten pse nuk i viziton 1 here ne jave zjarrfiksat, mjekt, arsimtart me prek me doren e vet realitetin ne Kosove po secili kryetar komune kur bohet kryetar komune bohet boss si qysh edhe po sillet pikrisht bossi i Prishtines per momentin pe bon ni fushat menifar mnyre qe mos um kritiko se une ta prishi qeverin (na te gjith e njohum Sarkozin e Frances, ai kur ka qen kryetar komune krejt te gjitha kto i ka ba po sot eshte i pari i Frances).

ma shume po kom qef me ni per juve per ket far stuhije berllogu ne tegjitha drejtimet e fjales.

a jemi met veret berlloga edhe po kultivojna berllog?
Post Reply