ISLAMI NDËR MALËSORË

Shkruni qka dini per histori, vetni, msoni... ma mire se n'shkoll ko me u kan.

Moderator: AciDiuS

Post Reply
User avatar
[CORNHOLIO]
Posts: 1869
Joined: Sun Jun 21, 2009 12:37 am

ISLAMI NDËR MALËSORË

Post by [CORNHOLIO] »

Duke dashur të kuptoj më mirë dinamikën e islamizimit në Shqipërinë e Veriut, dhe marrëdhëniet mes katolicizmit dhe Islamit në ato vise, ndesha në një pasazh nga Edith Durham, të shkruar në 1908, gjatë një vizite të saj në zonën e Lurës dhe të Mirditës
[pasazhi mund të lexohet këtu: http://digital.library.upenn.edu/women/ ... ia.html#XI].

Po e riprodhoj të përkthyer, me shpresë se lexuesi do ta vlerësojë, veçanërisht nën dritën e debateve që kemi hapur këtu herë pas here, për çështjet që prek drejtpërdrejt një udhëtare e paanshme dhe simpatizuese e shqiptarëve si Durham-i.

* Fisi i Lurës paraqet interes të madh, meqë këtu mund ta shohësh Krishtërimin duke u shpërbërë dhe duke i lëshuar rrugë Islamit që ecën përpara, siç ka bërë, dalëngadalë, gjatë katërqind vjetëve të fundit në këto vise.

Lura numëron dyqind shtëpi (mesatarisht dhjetë vetë për shtëpi). Nga këto, sot vetëm njëzet janë të krishtera, dhe asnjë prej tyre krejtësisht e krishterë – meqë disa janë myslimane, me disa familjarë të krishterë.

Gjatë tridhjetë e pesë vjetëve të fundit, njëmbëdhjetë shtëpi janë kthyer në myslimane, së bashku me pjesëtarë të shumë të tjerave. Po ndërtohet edhe një xhami, dhe hoxha tashmë ka mbërritur. Françeskani që shoqëronte Durhamin, i kish humbur shpresat. Kisha, duke treguar një apati të çuditshme, e kish lejuar krejt distriktin t’i ikte për duarsh, pa bërë ndonjë përpjekje deri vonë. Lura i përket dioqezës së Durrësit. Peshkopi i mëparshëm, një Italian, kishte fretën italianë vetëm. Sapo e mësonte gjuhën [shqipen] dikush, ndërrohej me një tjetër. Deri vonë, në Lurë nuk kishte prift fare, përveçse gjatë verës.

Feja islame e ka mbajtur të fortë propagandën gjithë kohës. Asnjë lloj persekutimi nuk ka pasur. Gjithçka është arritur me metodën e bindjes dhe rryshfete të mëdha. Metodat lyparake të Krishtërimit, në krahasim me bujarinë dorëhapur të Islamit – kolibja e mjeruar e kishës përballë xhamisë së re – mjaftonin për të bindur popullin e paditur se njëra kauzë ishte duke dhënë shpirt, ndërsa tjetra më e gjallë se kurrë.

Faktet janë si më poshtë. Malësori tribal i Shqipërisë së Veriut është para së gjithash shqiptar. Kurrë nuk e ka bërë të vetën dogmën e lartë të Krishtërimit, as të Islamit (e kam fjalën për masat vetëm). Për të, Krishti dhe Muhameti janë dy magjistarë që, po të merren me të mirë, janë të dy të zotët të bëjnë mrekullira. Tani, po t’i shohësh të dy me sytë e malësorit fisnor, cili ka pasur më shumë sukses? Si i krishterë, malësori nëpërkëmbej nga shkjau i pabesë (malësori shqiptar kurrë s’e ka konsideruar sllavin të krishterë). Me ndihmën e Islamit, përkundrazi, shkjaut i është treguar vendi. Shqiptarët kanë fituar shumë truall. Sikur të mos kishin futur hundët të huajt, do të kish fituar edhe më shumë. Falë magjisë së Muhametit ka marrë në zotërim toka të pasura, poste drejtuese në qeveri, s’i ka kërkuar kush shërbim ushtarak të detyruar, e kanë paguar mirë sa herë që ka dashur të luftojë, dhe nuk e kanë bezdisur për t’ia mësuar Muhamedanizmin siç duhet, por e kanë lënë të lirë t’i mbajë zakonet e vjetra.

Nuk i mbulon gratë, as nuk i mban të mbyllura më shumë se shumë të krishterë; rrallë qëllon që të ketë më shumë se një grua, me përjashtim të herëve kur kjo është kunata [e ve]. Hoxhës nuk ia vë veshin më shumë se ç’ia vinte priftit. Me përjashtim të herëve kur është në xhami, nuk e kam parë të kryejë as lutjet, as larjet rituale. Kur është besimtar i sinqertë, i përket ndonjë sekti dervishësh, zakonisht bektashi, të cilët i duan myslimanët konvencionalë jo më shumë se ç’e duan disidentët Kishën e Anglisë. Me fjalë të tjera, myslimani shqiptar i ka marrë të gjitha përfitimet nga Islami, por ka ndjekur rrugën e vet. Përkundrazi, Krishtërimi i ofron perspektivën e një të shtypuri, me disa përfitime të diskutueshme në botën tjetër dhe, kijeni parasysh këtë, ndoshta sundim nga i huaji në këtë botë.

Katolicizmi roman sot në Shqipëri është, siç e dinë mirë myslimanët, propagandë e Austrisë, e nxitur për arsye politike të kulluara; dhe që nuk shqetësohet, për sa i përket Austrisë vetë, as për zhvillimin moral as për zhvillimin mendor të popullit; madje që dëshiron ta vonojë këtë zhvillim; dihet se një peshkop, nënshtetas austriak, ka refuzuar t’ia japë lejen për një shkollë një fisi malësorësh që e dëshironte me të madhe.

Deri vonë, përplasjet mes myslimanëve dhe katolikëve kanë qenë ose ndërfisnore ose për punë “gjaku”, njëlloj si ato të të krishterëve mes tyre, ose myslimanëve mes tyre. Feja nuk ka ofruar ndonjë pretekst për t’u përleshur më të fortë sesa arsye të tjera. Myslimanët vetëm tani vonë i kanë persekutuar të krishterët si të tillë. Kjo ka ndodhur sepse myslimani e sheh që katolicizmi nuk është veçse ana e mprehtë e pykës së një pushtuesi të huaj – Austrisë. Ai nuk ka ndonjë problem të veçantë me katolicizmin si të tillë, por është gjithnjë i vendosur t’i bëjë ballë deri në vdekje sundimit të huaj të maskuar si katolicizëm. Nga pikëpamja e vet, ka të drejtë të mendojë kështu. Dhe kush ka parë dhe kuptuar rezultatet e sundimit austriak në Bosnjë nuk mundet të mos i japë të drejtë, madje edhe kur nuk pajtohet me metodat e përdorura.

Disa nga pohimet, përshkrimet dhe komentet e Durham-it bien ndesh me çfarë jemi mësuar të dëgjojmë e të lexojmë, sidomos nga rapsodët e miteve kombëtariste dhe katoliko-centrike; nga ana tjetër, të autores janë vetëm shënime udhëtimi, jo traktate historike-sociologjike; në kuptimin që ajo shkruan çfarë ka parë si dëshmitare e drejtpërdrejtë e atyre trevave. Unë e gjej me interes të veçantë edhe paralelizmin midis kundërvënies Krishtërim-Islam, dhe kundërvënies tjetër, shumë më të rëndësishme, midis shqiptarit dhe të huajit; por ende nuk e kam të qartë nëse Vatikani në ato rrethana thjesht ka gabuar, nuk ka mundur të bëjë më shumë, apo është frymëzuar nga politika që nuk kanë pasur shumë të bëjnë me ruajtjen dhe lulëzimin e katolicizmit në viset shqiptare të Veriut.

Peisazhe të fjalës http://xhaxhai.wordpress.com/2009/09/04 ... -malesore/
Post Reply