"Lindja eshte karier" Arben Xhaferi

Probleme, diskutime rreth shoqerise shqiptare. (dhe te huaj)

Nen-Forum: Politike, Teologji.

Moderators: Beka Floyd, SadButTrue, bg82

Post Reply
User avatar
cory taylor
Posts: 1567
Joined: Thu Dec 02, 2004 11:43 pm
Location: Holy Nazi Empire

"Lindja eshte karier" Arben Xhaferi

Post by cory taylor »

Arbën Xhaferi

"Lindja është karrierë", pat thënë jo pa ironi, kryeministri i dikurshëm britanik, Benxhamin Disraeli.


Në atë kohë çdo perëndimor, prej diplomatit e deri te aventuristi bënin karrierë lindje, të përshkuar me rrëfime romantike. Si duket tani është përmbysur situata: shumë lindorë, për një grusht të hollash mund të bëjë karrierë në botën perëndimore, veçmas në mjedise shoqërore ku mungon qartësia për zhvillimet historike.


Këto ditë, në fshatin Marinë të komunës së Skenderajt, një person me mjekër që tipizon identitetin e tij fetar, përkatësisht sektar, u arrestua dhe pastaj u depërtua në Shqipëri si shtetas i saj. Policia kosovare e zbatoi urdhrin me korrektësi dhe profesionalizëm.


Shumë qytetarë të Kosovës janë të brengosur nga dilema: a është ky një incident i rastësishëm apo, duke marrë parasysh tensionimet globale, paralajmëron se dikush ka interes të madh që të mos pajtohet me ndërhyrjen e NATO-s për çlirim të Kosovës, rrjedhimisht me aktin e shpalljes së pavarësisë së saj?


Kjo dilemë është objektive ngaqë e sotmja është e përshkuar me antagonizma, me përplasje të qytetërimeve. Mjafton një shami të nxisë debate të nxehta që nuk zgjidhin asnjë çështje, por edhe më shumë e shtojnë konfuzionin.


Ata që për interesa të ndryshme nuk pajtohen me këtë ndërhyrje të policisë kosovare, thonë se me këtë rast qenkan dhunuar të drejtat e njeriut. A kanë të drejtë ata, apo kemi të bëjmë me një proces historik, pak më serioz dhe më të thellë që e kishte parashikuar edhe vetë kumtuesi i fjalës së Zotit, profeti Muhamed, shkërmoqjen e besimit islam në 75 sekte?


Shoqëritë moderne, të hapura ndërtohen mbi parimet e lirisë së fjalës, të bindjeve, tregut të lirë, barazisë para ligjit, ndarjes së pushteteve, shekullarizimit, shfrytëzimit të barabartë të oportuniteteve të sistemit etj.


Kur këto parime zbatohen në mënyrë revolucionare në shoqëritë sapo të liruara nga shtrëngesat, tipike për formacionet autoritare shoqërore, liria e fjalës, e organizimit dhe e veprimit shndërrohen në faktorë destabilizues, që rregullin, rendin e dikurshëm e shndërrojnë në anarki. Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur.


Keqpërdorimi i lirisë është bërë problem global ngaqë shfaqen tendenca për ringjalljen e atavizmave, për legalizim të radikalizmave,të llojeve të ndryshme që, përmes gjuhës së urrejtjes krijojnë antagonizma në marrëdhëniet ndërnjerëzore, ndëretnike, ndërfetare etj.


Këto antagonizma, shpeshherë të shkaktuara artificialisht janë në funksion të interesave që nuk mund të zbërthehen lehtë ngaqë janë të mbështjellë si dhurata ndaj të cilave njeriu nuk mund të rezistojë, ose si medikamente që "këndellin" mendjen, ndërgjegjen e fjetur.


Ky lloj i njerëzve që këndelljen e perceptojnë si antagonizëm kanë një aftësi të jashtëzakonshme për keqpërdorim të idealeve, të bindjeve, të brengave, të njeriut të zakonshëm.


Me ngadhënjimin e standardit qytetërues që afirmon të drejtën e lirisë së fjalës u shfaqën fërkime jo vetëm në relacionet ideologjike, por edhe ato fetare, të shoqëruara me kërcënime, por edhe me akte terroriste. Këto akte, sidomos pas 11 shtatorit, kanë krijuar dhe thelluar bindjet se fajtori duhet kërkuar te feja islame. Kjo akuzë tashmë është modifikuar.


Nuk thuhet më se çdo mysliman është terrorist, por çdo terrorist është mysliman. Natyrisht ka edhe mendime të kundërta, më serioze që fajin e kërkojnë te politika që shfrytëzon, që keqpërdor ndjenjat fetare të njerëzve për t'i arritur disa qëllime politike që nuk mund të realizohen me rrugë të drejtë, me procedura legale demokratike.


Këto manipulime politike me ndjenjat fetare të besimtarëve, tashmë për shkaqe të njohura paraqesin rrezik për popullin shqiptar në përgjithësi dhe veçmas për atë që jeton në Kosovë.


Nëse vazhdon procesi i instrumentalizimit të besimeve fetare që në shoqërinë shqiptare kanë pasur një zhvillim harmonik, do të rrezikohet pozita e shqiptarëve jo vetëm nga shkaku i humbjes së relevancës së tyre në agjendën e shteteve që sot e protezhojnë kauzën shqiptare, por edhe për shkak të prishjes së harmonisë ndërfetare që është kusht pa të cilin nuk mund të ekzistojë as shteti dhe as kombi shqiptar.


Qëllimi i këtij artikulli është mbrojtja e besimit islam nga ata që e përdorin atë si instrument për arritje të qëllimeve jo fetare.


Rasti i fundit që i brengosi jo vetëm shqiptarët ka të bëjë pra, me veprimtarinë e kundërligjshme të një personi që është i identifikuar me emrin Kastriot Duka, ose edhe si Xhemajl Duka, qytetar i Shqipërisë dhe banor i Elbasanit.


Qytetarët e Skenderajt iu përgjigjën apelit të zonjës A. Halimi, që të nënshkruajnë peticionin sipas të cilit kërkohet largimi i hoxhës, të personit që zhvilluaka aktivitet fetar jashtë kornizës së BIK( Bashkësisë Islame të Kosovës), sipas një programi të pa verifikuar nga asnjë instancë shoqërore.


Ai akuzohet po ashtu për keqpërdorim të fondeve humanitare, për abuzime morale, për stimulim financiar të vajzave prej moshës 4 vjeçare që për një pagë mujore (25 E), të mbulohen me shami.


Këto konstatime mund të jenë të sakta, apo të sajuara, por gjithsesi të pamjaftueshme për ta shpjeguar problemin kryesor: guximin e një individi që vjen në Kosovë, ndërton xhami dhe fillon të punojë si imam pa lejen e BIK-ut.


Por, jo vetëm kaq. Ai refuzon që të bëhet anëtar i BIK-ut, përkatësisht të punojë sipas plan-programit të një institucioni të legalizuar dhe që ka traditë, mbase qindra vjeçare në këto hapësira. Nga ana tjetër zyrtarët e BIK-ut, vetëm me një fjali distancohen nga veprimtaria, siç thuhet të imamit të vetë shpallur, që nuk qenka nën juridiksionin e BIK-ut.


Mirëpo ky shpjegim është i pamjaftueshëm ngaqë nuk jep përgjigje për pyetjen se si mundet një person i pa autorizuar të merret me punë fetare që, sipas të gjitha gjasave vjen ndesh me traditën fetare tolerante të shqiptarëve në përgjithësi.


Në këtë incident implikohet edhe Euleksi, gjithnjë në kuadër të kompetencave të saj, përmes institucionit të prokurorisë e inkriminon elbasanasin, që identifikohet me emrin Kastriot Duka për keqpërdorime financiare, për një varg xhiro-llogarish, ku dërgohen mjete financiare nga shoqata a qytetarë britanike, me prejardhje pakistaneze, nga ata që perëndimin e shohin si shans për karrierë.


Ky fakt, kjo lidhjen e një shqiptari me grupacione fetare apo politike të huaja që e dëmtojnë imazhin dhe interesin kombëtar, shikuar realisht, mund të përdoret si argument për demaskim moral të një individi që tregon me arrogancë luajalitet ndaj të huajve sesa bashkëkombësve të tij. Mirëpo as ky sqarim nuk e shpjegon kaosin që e ka pllakosur botën islame: sekte, grupe të vogla politike, apo individë të sëmurë nga megalomania, që në emër të Zotit shpallin luftë orë e çast.


Ky fragmentarizëm strukturor, deri diku edhe doktrinar i botës islame shfaqet gjithkund, në mikrostrukturë dhe makrostrukturë. Në Sanxhak, bie fjala më se dy vjet thellohet konflikti ndërmjet dy bashkësive fetare, natyrisht islame, asaj të vjetrës, që udhëhiqet nga myftiu Muamer Zukorliq, që e ka mbrojtjen e Rasim Ljaiqit (Kryetar i Partisë Demokratike të Sanxhakut) dhe asaj të resë, që drejtohet nga Reis Ul-Ulema Adem Zilkiqi, nën patronatin e Sulejman Uglaninit, kryetar i partisë SDA, fillimisht e paramenduar si degë e partisë boshnjake për aksion demokratik të A.


Izetbegoviqit. Të dy këta liderë që kanë bashkërisht 3 deputetë janë ministra në kabinetin e Tadiçit, përkatësisht Cvetkoviqit. Për të qenë të përçarë duhet të jenë të barabartë.


Në botën islame shfaqen kudo përçarje strukturore, por edhe doktrinare. Ajo është shndërruar në zonë eksperimentale të atyre, që dinë diçka dhe atyre që s'dinë asgjë.


Ata që insistojnë me këmbëngulje që të restaurojnë pastërtinë e dikurshme të besimit insistojnë, që një periudhë e së kaluarës të shpallet si standard i pakontestueshëm. Dijetari islam, marokeni Muhamed Al Xhabir thotë: mënyra e vetme për ta kontrolluar të tashmen është përdorimi i së kaluarës si standard të shenjtë.


Si mund të shpjegohet gjithë ky intensitet veprimesh revolucionare për të ndryshuar bindjen e njerëzve qofshin ato myslimanë apo jo, si të shpjegohet injorimi arrogant i institucioneve zyrtare fetare, në rastin konkret të BIK-ut, si mund të arsyetohet reagimi lakonik i zyrtarëve të kësaj bashkësie fetare se "ai nuk qenka anëtari i këtij institucioni".


Mbi ç'bazë një person anonim, me para të disa qytetarëve britanez, me origjinë pakistaneze, ndërton xhami dhe predikon fenë sipas standardeve të tija dhe paralajmëron se askush tjetër në këtë xhami nuk mund të predikojë?!


A mund të ndodhë kjo në shtetet ku dominon besimi krishterë? Në Maqedoni bie fjala një prift ortodoks tentoi të hapë një kishë ortodokse serbe dhe përfundoi në burg. Pse pra, paraqiten këto dallime? Përgjigja duhet kërkuar te dallimi ndërmjet fesë dhe religjionit. Krishterimi e ka përfunduar procesin e konstituimit si religjion me dallime të vogla.


Katolicizmi është ndërtuar si religjion universal, ku çdo kishë katolike është nën juridiksionin e Vatikanit, ku çdo gjë është e përkufizuar saktë, prej dogmës fetare e deri te hierarkia, ku dihet kush çfarë posti ka, çfarë të drejtash i takojnë dhe kush e ka fjalën përfundimtare për interesat e katolikëve kudo në botë.


E gjithë kjo vlen edhe për religjionin ortodoks me një përjashtim të vogël: fushëveprimi është kufizuar brenda kufijve të një shteti.


Në krahasim me këto religjione, islami përjeton një krizë në procesin e konstituimit të një besimi në religjion. Sot çdo kush flet, komenton dhe merr vendime në emër të myslimanëve, madje çdo kush mund ta shpallë "fetfanë", për çdo kë.


Ky proces filloi të përkeqësohet sidomos pas vitin 1922 kur Kemal Ataturku e shpalli Turqinë si republikë dhe vetë ai u bë kryeministër. Me këtë rast ai shpalli nevojën që urgjentisht të abrogohet sistemi paralel i sulltanatit dhe i kalifatit.


Në kuadër të këtij procesi të laicizimit të shtetit, ai e mbylli Ministrinë për çështje fetare, Zyrën e Kalifatit dhe shkollat fetare. Kërkesave që ta restaurojë kalifatin ai, në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Madh Popullor më 3 mars 1924 përgjigjet. Kalifati përcakton shefin e shtetit. Si mundem unë të pranoj propozimet e njerëzve që janë nënshtetas të mbretërve, të perandorëve të tjerë...a do të pajtoheshin ata me këtë propozim!"


Natyrisht se Ataturku kishte të drejtë, mirëpo shikuar nga aspekti i procesit historik, kjo datë shënon fillimin e rrënimit të strukturës universale religjioze islame që sot, pas shuarjes se institucionit të kalifit, institucionit ku puqeshin autorizimet fetare dhe politike, është organizuar në nivel të bashkësive islame.


Pikërisht për këtë shkak, rrënimit të strukturës religjioze, me këtë edhe të autorizimeve të ngushtuara të bashkësive islame, krijohet mundësia për veprimtari politiko-fetare të qarqeve, që "bëjnë karrierë në Perëndim" dhe lehtë gjejnë bashkëpunëtorë vendorë, qoftë për shkak të bindjeve të tyre ose të interesave vetjake.


Të gjitha ekstremizmat, u thënçim fetare islame, me të cilat sot ballafaqohen jo vetëm myslimanët, por edhe të tjerët janë pasojë e ngecjes së procesit të transformimit të një feje në religjion.


Kushti i parë, që një besim fetar të shndërrohet në religjion është: ndarja e shtetit, e politikës prej fesë, pra respektimi i parimit të shekullarizimit. Këto procese mund të zgjasin shumë, por përvojat e hidhura nuk duhet përsëritur.

Vatikani e pranoi statusin që e ka, të religjionit të ndarë nga shteti përfundimisht në vitin 1963, ndonëse kemi përshtypjen se kjo ndarje ka ndodhur qindra vjet më parë. Pas kësaj ndarjeje autoriteti i tij u rrit jashtë mase.


Tani më, jo vetëm që është vendosur rendi në çështjet fetare, por njëkohësisht është amplifikuar ndikimi politik dhe kredibiliteti i përfaqësuesve të kishës katolike, veçmas i Papës. Kisha universale objektivisht krijon mundësi për ndikim global.


Nëse kjo fazë do të kapërcehet, atëherë dinjitarët e fesë do t'i shërbejnë Zotit dhe jo zotave, autoriteteve të ndryshme politike dhe jo politike.
Post Reply